Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi sot një rezolutë historike që mbështet krijimin e një shteti të pavarur palestinez dhe zbatimin e zgjidhjes me dy shtete, duke përjashtuar Hamasin nga pjesëmarrja politike.
Rezoluta mori mbështetjen e 142 vendeve, me 10 vota kundër dhe 12 abstenime. Kundër ishin Izraeli, SHBA-ja, Tonga, Palau, Nauru, Papua Guinea e Re, Paraguai, Mikronezia, Hungaria dhe Argjentina.
Palestina e përshëndeti vendimin, duke e cilësuar atë si një arritje kyçe të Konferencës Ndërkombëtare të Nivelit të Lartë për Çështjen Palestineze, të bashkëkryesuar nga Arabia Saudite dhe Franca. Ministria e Jashtme Palestineze falenderoi këto vende për përpjekjet në shndërrimin e deklaratës në një plan konkret veprimi me objektiva politike, ekonomike dhe sigurie.
Palestina bëri thirrje për zbatim të plotë të konkluzioneve të konferencës, duke kërkuar presion mbi Izraelin për të ndaluar agresionin, përdorimin e urisë si armë, zhvendosjen me forcë dhe për lirimin e të burgosurve.
Sot, rreth tre të katërtat e 193 anëtarëve të OKB-së e njohin Palestinën si shtet të pavarur, ndërsa vendet e tjera, përfshirë Francën, pritet të njoftojnë njohjen e tyre gjatë Asamblesë së Përgjithshme më 22 shtator.