Pas arrestimit të një dite më parë dhe shqiptimin e paraburgimit për biznesmenin Orce Kamçev, në mungesë të informacioneve zyrtare, për rastin në fjalë përplasen LSDM dhe VMRO-DPMNE. Sipas LSDM-së avokati mbrojtës i Kamçevit, Toni Menkinovski është kryetarë i Komisionit juridik të VMRO-DPMNE-së dhe njeri i Mickovskit.
“Në dritë del lidhja e Hristijan Mickoskit me magnatin e regjimit, Orce Kamçev. Ky është Toni Menkinovski, kryetar i komisionit juridik i VMRO-DPMNE-së, njeri i afërt me Hristijan Mickoskin. Pikërisht njeriu i Mickoskit, të cilin shpesh e kemi parë nga foltorja partiake e DPMNE-së, në Pallatin e bardhë, është avokati i tij dhe ai e mbron Orce Kamçevin.”, tha Bogdanka Kuzevska nga LSDM.
“Toni Menkinovski është një avokat me përvojë shumë dekadëshe. Përveç faktit që ai aktualisht është avokat i biznesmenit Jordan Kamçev, ai ishte edhe avokat i Zoran Zaevit në rastin “Ryshfeti”, me videon ku i gjithë publiku pa që Zoran Zaev kërkonte ryshfet prej 200 mijë eurosh, euro për kishën – euro për Vicen, i njëjti video incizim të cilin gjykata e Zaevit e ndaloi.”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Kamçev është i dyshuar në hetimin “Parcelat në Vodno”, respektivisht për blerjen e parcelave në Vodno për ish kryeministrin, Nikolla Gruevski, që janë realizuara nëpërmjet Kompanisë së Orce Kamçevit. Kamçev u privua nga liria, me një shënim nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare për dyshimin se përgatitet për arratisje./Tvm2