Smart News

Arben Fetai mbrojti Meidanin katër muaj më parë – pse sot hesht para të njëjtave akuza?

Vetëm katër muaj më parë, Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, doli fuqishëm në mbështetje të Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë, Denion Meidani, në kohën kur qarqe të caktuara politike, përfshirë eksponentë të koalicionit VLEN, nisën ta sulmojnë publikisht ambasadorin për rolin e tij aktiv në skenën politike në Shkup, transmeton Flaka

Në një reagim të asaj kohe, Fetai e cilësonte Meidanin si “një diplomat me përgatitje të jashtëzakonshme, që imponon respekt dhe vendos standarde të reja në diplomacinë shqiptare”. Ai shtonte se sulmet ndaj ambasadorit buronin nga “shqetësimi i atyre që nuk janë mësuar me një ambasador që punon pa u ndalur dhe me vizion të qartë.”

“Ne kemi shprehur publikisht mbështetjen tonë për të dhe e ritheksojmë edhe sot: Ambasadori Meidani ka mbështetjen tonë të plotë! Ai është një model dinjiteti për diplomacinë shqiptare në rajon,” shkruante Fetai në mars.

Por sot, kur Ambasadori Meidani sërish është bërë shënjestër e akuzave nga të njëjtat struktura politike, këtë herë në kontekstin e angazhimit të tij për legalizimin e shkollës shqipe në Nerovë, zëri i Arben Fetait mungon.

Pavarësisht jehonës publike dhe përpjekjeve për të relativizuar rolin e ambasadorit në këtë sukses të rëndësishëm për komunitetin shqiptar, Fetai, që më herët kishte qenë në ballë të mbrojtjes së tij, nuk ka reaguar. Heshtja e tij ka ngjallur reagime në opinion, duke ngritur pyetjen nëse në lojë janë kalkulime politike të brendshme, apo një ndryshim qëndrimi brenda vetë koalicionit VLEN.

Dilema publike: Parim apo pragmatizëm?

Në kohën kur ambasadori Meidani po vlerësohet nga shumë qytetarë, prindër dhe figura publike për përkushtimin e tij ndaj të drejtave të shqiptarëve – veçanërisht në fshatra si Nerova, që shpesh harrohen nga institucionet – mungesa e zërave të njëjtë që më parë e mbronin, lë shije të hidhur.

Në politikë, qëndrueshmëria dhe koherenca janë vlera që nuk falen lehtë kur mungojnë. Ndaj, pyetja që sot shtrohet me të drejtë është:

Pse Arben Fetai po hesht kur sulmohet sërish ai që dje e quante “model dinjiteti për diplomacinë shqiptare”?

Exit mobile version