Anwar Hadid i organizon Dua Lipës ndejë për ta festuar triumfin në “Grammy”

106 0

I dashuri i Dua Lipës, modeli 25-vjeçar Anwar Hadid, ia organizoi një ndejë me tematikë speciale, për ta festuar triumfin e saj në ceremoninë e së dielës “Grammy”.

Ylli i hitit “Don’t Start Now” e fitoi çmimin “Albumi më i mirë pop” për incizimin e saj shumë të suksesshëm, “Future Nostalgia”, dhe i dashuri i këngëtares e ndihmoi ta festonte këtë sukses duke ia organizuar një ndejë me temë të veçantë, që ishin fluturat të cilat dominuan edhe në fustanin glamuroz të Duas në “Grammy”, të krijuar enkas për të nga shtëpia e njohur e modës “Versace”.

Këngëtarja me prejardhje nga Kosova i ndau me ndjekësit e saj disa fotografi nga kjo ngjarje, të shoqëruara me mbishkrimin: “Të gjitha fluturat në botë duke më pritur mua… engjëlli im Anwar Hadid”.

Çifti simpatik i showbizit është në lidhje dashurie qe një vit e gjysmë, kurse pjesën më të madhe ata e kanë kaluar duke bashkëjetuar si pasojë e karantinës.

Këngëtarja 25-vjeçare me ta pranuar shpërblimin e saj në “Grammy”, foli për atë se sa e rëndësishme është lumturia si dhe e pranoi se albumi i saj i dytë muzikor, “Future Nostalgia”, e ka ndihmuar të ndihet e ringjallur.

“Zot i madh. Wow, faleminderit shumë. Kjo është një çmenduri e vërtetë. Albumi ‘Future Nostalgia’ është shumë i rëndësishëm për mua dhe ma ka ndryshuar jetën në shumë mënyra. Por një gjë të cilën e kam kuptuar gjatë realizimit të tij, është se sa e rëndësishme është ndjenja e lumturisë për të gjithë ne. Në fund të albumit tim të parë mendoja se duhet bërë muzikë të trishtë për të ndier se ajo ka rëndësi, prandaj jam mirënjohëse dhe e nderuar për këtë çmim pasi që lumturia është diçka që të gjithë e meritojmë”, deklaroi Lipa përmes fjalimit të saj emocional në skenë.

Ylli i hitit “Physical” gjithashtu nuk harroi t’i falënderojë fansat e saj për përkrahjen, menaxherin e saj, studion incizuese dhe gjithë ekipin prapa realizimit të albumit “Future Nostalgia”.

“Ky çmim do të thotë shumë për mua. Falënderojë familjen dhe miqtë e mi që po na shikojnë nga shtëpia. Ju dua shumë të gjithëve, faleminderit”.

Me fitoren e saj në kategorinë “Albumi më i mirë pop”, Dua Lipa i mundi yjet e njohur dhe të suksesshëm të muzikës, si Justin Bieber me albumin “Changes”, Lady Gaga me “Chromatica”, Harry Styles me “Fine Line” dhe Taylor Swift me albumin “Folklore”.

Administrator

Ky lajmë është postuar nga ana e redaksionit SMART NEWS. - Administratori

nga kategoria