Koalicioni VLEN ka pësuar një tkurrje të ndjeshme në rejtingun elektoral, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga MKD.mk në bashkëpunim me agjencinë “Market Vision”. Ajo që bie më shumë në sy nga anketa është pikërisht rënia e theksuar e VLEN-it pas ndarjes së Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit nga koalicioni, shkruan Flaka
Në anketën parafundit, e realizuar po nga të njëjtët bartës, VLEN gëzonte mbështetje prej 13%, ndërsa në anketën aktuale kjo mbështetje ka rënë në 7.7% – një rënie prej 5.3 përqind. Ky ndryshim përfaqëson një goditje serioze për bllokun që dikur pretendonte të përfaqësonte alternativën kryesore shqiptare në opozitë.
Ndarja e ASH-së së Taravarit, e cila aktualisht matet veçmas dhe ka rejting 3.6%, duket se ka ndikuar drejtpërdrejt në shpërbërjen e bazës elektorale të VLEN-it, duke e zvogëluar ndikimin e tij në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Kjo rënie e rejtingut ngre pikëpyetje të mëdha për fuqinë reale të VLEN-it në zgjedhjet e ardhshme dhe shtron nevojën për ristrukturim apo riformatim të qasjes politike të këtij koalicioni tashmë të fragmentuar. Flaka