Pas shkëputjes nga Aleanca për Shqiptarët dhe vazhdimit të tij në koalicionin VLEN, ish-kryetari i Kuvendit të ASH-së, Arben Fetai, duket se ende nuk ka një profil të qartë elektoral. Pyetja që shtrohet pas publikimit të anketës më të re është: a ndodhet ai në promilat e ulëta të liderëve të VLEN, Izet Mexhiti apo Adnan Azizi?
Sipas anketës më të fundit të realizuar nga MKD.mk në bashkëpunim me agjencinë “Market Vision”, vetëm 34.3% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut besojnë se vendi po ecën në drejtimin e duhur, që përfaqëson një rritje prej 3% krahasuar me muajin prill. Ndërkohë, 40.5% mendojnë se vendi po shkon në drejtim të gabuar.
Sa i përket rejtingut të liderëve politikë, në bllokun maqedonas prin Hristijan Mickoski me 26.9%. Në bllokun shqiptar, kryeson Ali Ahmeti me 6%. Pas tij vijnë Venko Filipçe (4.7%), Arben Taravari (ASH) në vendin e katërt, Maksim Dimitrievski dhe Dimitar Apasiev me nga 3.0%, Izet Mexhiti me 2.0%, Bilall Kasami me 1.9% dhe Afrim Gashi me 1.0%.
Ndërsa në rejtingun e partive politike, VMRO-DPMNE kryeson me 23.8%, ndjekur nga BDI me 5.5%, LSDM me 5.1%, E Majta me 2.5%, ZNAM me 2.4%. ASH e Taravarit ka 1.6%, VLEN (BESA) 1.6%, VLEN (LD) 1.1% dhe VLEN (AAA) 0.8%. Rreth 12% e të anketuarve nuk kanë dashur të zbulojnë për kë do të votojnë, ndërsa 15% janë shprehur se nuk do të votojnë fare, dhe 13.7% janë të pavendosur.
Anketa është realizuar në periudhën nga 20 qershori deri më 4 korrik 2025, përmes metodës CATI (intervistë telefonike me asistencë kompjuterike), me një kampion prej 1.200 të anketuarish. Mostra është përfaqësuese në nivel shtetëror, bazuar në regjion, gjini, moshë dhe përkatësi etnike, sipas të dhënave të regjistrimit të vitit 2021.