Sipas të dhënave më të fundit nga një anketë e realizuar nga MKD.MK, në bllokun politik shqiptar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, vazhdon të mbajë vendin e parë për nga niveli i besimit me 6%, duke konfirmuar epërsinë e tij ndaj rivalëve politikë shqiptarë, shkruan Flaka
Arben Taravari, lideri i Aleancës për Shqiptarët, i cili aktualisht ndodhet në opozitë, gjithashtu renditet ndër figurat më të besueshme, përpara disa prej liderëve të partive në pushtet.
Sa i përket liderëve të koalicionit VLEN, ata vijojnë të qëndrojnë në nivele të ulëta të besueshmërisë: Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami kanë rreth 2% mbështetje secili, ndërsa Afrim Gashi (Alternativa) përmendet me vetëm 1%. Zeqirja Ibrahimi dhe Arben Fetai nuk rezultojnë në listën e liderëve me përkrahje mbi 1%.
Ndërkohë, Venko Filipçe, kryetar i ri i LSDM-së, zë vendin e tretë me 4.7%, ndërsa në kampin opozitar maqedonas, Maksim Dimitrievski (ZNAM) dhe Dimitar Apasiev (Levica) janë në nivel të barabartë me nga 3% mbështetje.
Anketa reflekton qartë fragmentimin e kampit shqiptar në pushtet dhe vazhdimësinë e dominimit të figurave tradicionale si Ahmeti dhe Taravari, pavarësisht ndryshimeve të fundit në skenën politike.
Anketa është realizuar në periudhën nga 20 qershori deri më 4 korrik 2025, duke përdorur metodën CATI – intervistim telefonik me ndihmën e kompjuterit, mbi një mostër prej 1.200 të anketuarve. Mostra është përfaqësuese në nivel të Maqedonisë së Veriut sipas: rajonit, gjinisë, moshës dhe përkatësisë etnike, bazuar në të dhënat për popullsinë rezidente nga regjistrimi i vitit 2021. Flaka
Lexo edhe: Anketa e re: Opozita shqiptare dyfish më e fuqishme se koalicioni VLEN
Anketa- VLEN pëson rënie të fortë pas largimit të ASH-së së Taravarit: Nga 13% në 7.7%