Smart News

Angelov: Ligji për “Branitellat” pas zgjedhjeve lokale, për të mos i prishur punë VLEN-it

Stojançe Angelov, lider i partisë “Dinjiteti” dhe drejtor aktual i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, ka deklaruar se miratimi i ndryshimeve të paralajmëruara në ligjin për “Branitellat” do të shtyhet pas zgjedhjeve lokale. Në një intervistë për emisionin “Vetëm e Vërteta” në TV Kanal5, Angelov ka shpjeguar qartë arsyet strategjike që qëndrojnë pas kësaj shtyrjeje, transmeton Flaka

“Pres që pas zgjedhjeve lokale, atë që kemi rënë dakord, në pjesën e Branitellave, të jetë e realizuar. Jo tani, sepse kjo do t’i prishte punë partnerit tonë VLEN-it,” – theksoi Angelov.

Ai pranoi se vendimi është i ndjeshëm dhe mund të ngjallë kritika, por sipas tij, është i nevojshëm për të ruajtur ekuilibrin politik dhe për të mos i dhënë hapësirë rikthimit të BDI-së.

“Unë mendoj strategjikisht, ato kritika i pranoj. Dobësimi i VLEN-it në këto momente do të hapte derën për BDI-në. A duhet ne këtë ta bëjmë?” – shtroi pyetjen Angelov.

Kjo deklaratë vjen në një moment kur tensionet politike mes koalicionit qeveritar dhe opozitës janë të larta, dhe tregon për marrëveshjet e brendshme në mes partive në pushtet për çështje të ndjeshme historike dhe politike siç është statusi i “Branitellave” të vitit 2001.

Deklarata e Angelovit është një konfirmim i qartë se çështjet e ndjeshme etnike dhe politike vazhdojnë të trajtohen me kujdes të veçantë nga qeveria aktuale, duke pasur parasysh balancat brenda koalicionit dhe reagimin e opinionit publik.

Prononcimi i tij, pritet të ngjallë reagime te opozita shqiptare.

Exit mobile version