Ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, ka zbuluar se që në prill të këtij viti, Qeveria ka krijuar një Grup Pune të gjerë, me qëllim që të krijojë kushte për realizimin e një Regjistrimi digjital në vitin 2026. Në një intervistë or TV Sitel, Andonovski madje tha se Maqedonia e Veriut ka kapacitet të plotë për të realizuar një Regjistrim digjital të popullsisë, ndërsa objektivi i Qeverisë është që ky proces të zhvillohet në vitin 2026.
Ai theksoi se edhe pse sipas standardeve ndërkombëtare regjistrimi i radhës parashikohet në vitin 2030 ose 2031, Qeveria është e vetëdijshme për nevojën e rishikimit të Metodologjisë së përdorur në vitin 2021, e cila u vlerësua si e papërshtatshme nga Gjykata Kushtetuese.
“Që në prill të këtij viti kemi krijuar një grup pune të gjerë, me qëllim që të krijojmë kushte për realizimin e një Regjistrimi digjital në vitin 2026. Kemi kapacitet dhe ky është një nga prioritetet e programit qeveritar”, deklaroi ministri Andonovski. Por partitë participuese në qeveri VLEN nuk kanë njoftuar kurrë për një komision apo një plan për një regjistrim digjital. Arsyet e kësaj heshtje nuk dihen por duket që nën dikatin e VMRO-DPMNE-së ata nuk guxojnë të shpalosin asnjë detaj nga veprimet qeveritare pa lejen e kryeministrit.
Andonovski më tej sqaron se Ministria për Transformim Digjital posedon një Regjistër Qendror të Popullsisë, që mbledh të dhëna nga Ministria e Punëve të Brendshme, Enti për Regjistrimin e Gjendjes Civile dhe Regjistri Qendror. Gjatë periudhës në vijim, do të punohet intensivisht në pastrimin dhe plotësimin e të dhënave, në mënyrë që vendi të jetë i gatshëm, pavarësisht nëse regjistrimi do të mbahet në 2026 apo në 2031. Si shembull pozitiv të një shteti me sistem të avancuar të regjistrimit digjital, Andonovski përmendi Slloveninë.