Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari gjatë ditës së sotme priti në takim, ushtruesin e Detyrës së Ambasadorit të Republikës Federale të Gjermanisë në Shkup, Otto Graf.
Në takim dy bashkëbiseduesit diskutuan për rëndësin e investimeve të huaja në qytetin e Gostivarit si dhe për rritjen e tyre në vazhdimësi.
“Theksova bashkëpunimin e çmuar lidhur me projektet në Gostivar nga ana e Ambasadës së Gjermanisë deri më tani dhe e falënderova ambasadorin për interesimin e treguar për të zhvilluar nisma të reja. E njoftova z. Graf edhe me projektet prioritare për Gostivarin që duhet të realizohen në periudhën e ardhshme dhe me ato që deri më tani i kemi përmbushur, sidomos nëpër shkolla dhe në fushën e sportit”, theksoi kryetari Arben Taravari.
Në takim po ashtu u fol edhe për gjendjen politike në vend, gjegjësisht për ndryshimet e domosdoshme kushtetuese me të cilat do të hapet rruga evropiane për Maqedoninë e Veriut, dhe bashkërisht u theksua se ndryshimet kushtetuese do të ndodhin, ndërsa ambasadori Otto Graf uroi kryetarin Arben Taravari për hyrjen e ASH-së në Qeveri.