Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në fjalën e tij para pjesëmarrësve në akademinë politike të partisë, ka kritikuar ashpër VMRO-DPMNE-në dhe udhëheqjen e Shkupit për gjendjen e rëndë urbanistike dhe ndërtimet pa leje në Çair dhe Shkupin e Vjetër.
“Përballë kemi VMRO-në, por e vërteta është se ata janë shitur për pesë aspra. Nuk e di çfarë obligimesh kanë, por Çairin dhe Shkupin e Vjetër e kanë shndërruar në Kandahar. Ishin të tmerrshme pamjet që jepte ajo kryetarja e Shkupit – i kam parë vetë”, tha Ahmeti, përcjell PressOnline.al
Ai kujtoi edhe një episod me Izet Mexhitin, duke treguar se ndërtimet pa leje dhe mbindërtimet janë bërë problem i madh në këtë zonë.
“Në Çair pashë mes gjelbërimit të parkut të hapeshin gropa ndërtimi, pashë mbindërtime nga dy kate shtesë në ndërtesa. Fajtor nuk janë ata që ndërtojnë, por politika që e lejon këtë. Në një zonë sizmike si Shkupi, lejet e ndërtimit janë garanci vetëm për katet e miratuara, jo për ato shtesë”, theksoi Ahmeti, duke paralajmëruar rrezik në rast të një tërmeti.
Sipas tij, rreth 150 ndërtesa në Çair kanë probleme të tilla, duke vënë në rrezik qytetarët që kanë investuar shuma të mëdha. “Njerëzit kanë dhënë 50, 70, madje edhe 80 mijë euro. Është gjynah, por këtyre nuk u intereson t’ju gjejnë zgjidhje. U intereson vetëm si t’i fshehin problemet”, u shpreh Ahmeti.
Ai kërkoi nga strukturat e BDI-së që të fokusohen tek çështjet më të ndjeshme për qytetarët.
“Shkupi i Vjetër duhet t’u kthehet njerëzve që mendojnë për qytetin dhe kombin, jo atyre që e shkatërrojnë me interesat e tyre të ngushta”, përfundoi lideri i BDI-së.(PressOnline.al)