Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) ka hapur zyrtarisht shtabin zgjedhor në fshatin Çegran, duke e cilësuar këtë proces si një betejë për çështjen kombëtare shqiptare dhe një sinjal për nevojën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut.
Kryetari i Komunës së Gostivarit dhe kandidati për një mandat të ri, Valbon Limani, tha se Çegrani do të jetë qendra e ndryshimit.
“Komuna jonë ka fatin dhe përgjegjësinë që të bëjë dallimin më të madh. Të gjithë kemi obligim që Valdeti të jetë kandidati më i votuar në shtet. Besoj fuqishëm se pikërisht nga Çegrani do të vijë goditja më e fuqishme për ndryshim, e cila do të frymëzojë edhe komunat tjera shqiptare,” deklaroi Limani.
Ndërsa bartësi i listës për Këshill Komunal, Valdet Xhaferi, e cilësoi 19 tetorin si referendum politik.
“Jemi të vetëdijshëm për situatën politiko-juridike të shqiptarëve në këtë qeverisje monoetnike. Po cënohet Marrëveshja e Ohrit dhe po devijohet rruga e integrimit. Më 19 tetor, t’u themi qartë: Maqedonia është edhe e jona – me votën tonë të lirë dhe demokratike,” tha Xhaferi.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe njëri nga liderët e AKI-së, Arben Taravari, akuzoi strukturat shtetërore për përpjekje për bojkot të zgjedhjeve në komunat shqiptare dhe bëri thirrje për mobilizim të plotë.
“Po të ishim në qeveri, Gostivari do të fitohej lehtë me VMRO-në. Por në këmbim, do të kërkoheshin pozita kyçe si kryetari i këshillit apo sekretari i komunës. Kjo është ajo që do t’i ndodhë komunave shqiptare nëse udhëhiqen nga kukulla të partive të VLEN-it. Prandaj, u bashkuam me z. Ahmeti për të ndërtuar ‘Besëlidhjen’ – e cila mori formën e Aleancës Kombëtare për Integrim, si një front i përbashkët për mbrojtjen e interesit kombëtar dhe për të kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare,” theksoi Taravari.
Në listën e këshilltarëve të AKI-së janë përfshirë edhe dy kandidatë nga Çegrani, Sadri Saliu dhe Gzim Hamzai, të cilët premtuan angazhim për projekte infrastrukturore dhe zhvillimore.
Në hapjen solemne të shtabit morën pjesë edhe shefat lokalë të shtabeve zgjedhore, Nexhati Jakupi dhe Isak Lazami, si dhe figura të njohura publike si deputeti Talat Xhaferi dhe mjeku Asim Izairi, nikoqir i ngjarjes.
“Këto nuk janë vetëm zgjedhje lokale. Janë një test për ekzistencën tonë politike dhe për të drejtat tona kolektive. Është koha të themi stop marginalizimit,” u tha në përmbyllje të takimit.