Smart News

Albin Kurti takoi liderët e koalicionit VLEN: Është hera e parë që opozita shqiptare arrin mbi 100.000 vota

Kryeministri Albin Kurti të shtunën ka pritur në takim udhëheqësit e koalicionit VLEN në Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku, Bilall Kasami, Arben Taravari, Izet Mexhiti e Afrim Gashi, të cilët i ka përgëzuar për rezultatin zgjedhor.

Është hera e parë, sipas njoftimit të Kryeministrisë, që opozita shqiptare arrin të prekë dhe të tejkalojë 100,000 vota.

“Përfaqësuesit e VLEN diskutuan me kryeministrin Kurti për çështjet me rëndësi për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por edhe për marrëdhëniet ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut e për çështje të tjera të rëndësishme. Shqetësuese për palët vazhdon të jetë influenca ruse dhe serbe, e cila ndodh edhe përmes rrjeteve korruptive e kriminale. Zhvillimi i infrastrukturës që ndërlidh popullsitë e shtetet tona, ishte një ndër temat kryesore të diskutimit, bashkë me ide e projekte për gjallërimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor e arsimor”, thuhet në njoftim.

Takimi u zhvillua, siç thotë njoftimi, në frymë të bashkëpunimit të përzemërt, “duke mbajtur parasysh se shqiptarët në Ballkan janë faktor i padiskutueshëm në mbështetje të demokratizimit, integrimit europian, paqes e sigurisë dhe qëndrueshmërisë euroatlantike”.

Koalicioni VLEN është në bisedime me fituesin e zgjedhjeve në Maqedoni të Veriut, VMRO, për ta formuar Qeverinë e re.

Exit mobile version