Në një aksion të madh policor që po zhvillohet në rajonin lindor të Maqedonisë – përkatësisht në Berovë, Pehçevë dhe Dellçevë – janë arrestuar dhjetëra persona të përfshirë në një grup të organizuar kriminal, i cili për vite me radhë është marrë me prerje ilegale të pyjeve, keqpërdorim të pozitës zyrtare, marrje dhe dhënie ryshfeti dhe krime të rënda kundër mjedisit jetësor.
Sipas burimeve jozyrtare, në mesin e të arrestuarve janë drejtori aktual i Ndërmarrjes Publike “Pyjet e Maqedonisë”, shefi i policisë, disa zyrtarë policorë dhe policë pyjorë, një zyrtar nga Njësia Rajonale e Ministrisë së Bujqësisë, si dhe pronarë të disa kompanive private. Ata dyshohen se kanë organizuar në mënyrë sistematike prerjen dhe transportin ilegal të drurit, të cilin më pas, përmes lidhjeve korruptive, e kanë paraqitur si prerje legale.
Hetimet tregojnë se bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal, që ka funksionuar me qëllim përfitimi personal në kurriz të shtetit dhe pasurisë natyrore. Edhe pse dëmtimi i pyjeve ka qenë i dukshëm për vite me radhë, nuk janë ndërmarrë masa për ta ndaluar këtë aktivitet ilegal – derisa tani.(INA)