Smart News

Aksi rrugor Kërçovë–Qafë Thanë zhvishet nga shqipja: Tabelat e reja vetëm maqedonisht dhe anglisht

Fundjava ka qenë e ngarkuar për Ndërmarrjen Publike “Rrugët e Maqedonisë”, e cila ka vendosur tabela të reja rrugore në aksin nga Kërçova drejt Strugës dhe Qafë Thanës. Por, e hëna i gjeti këto tabela me mungesë të dukshme: gjuha shqipe është zhdukur krejtësisht prej tyre. Tabelat janë vetëm në maqedonisht dhe anglisht.

Publikimi i pamjeve nga terreni ka nxitur reagime të ashpra në rrjetet sociale, me akuza për përjashtim dhe diskriminim gjuhësor ndaj shqiptarëve.

Ka reaguar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim. “Tabela e re në rrugën për Strugë. Vetëm maqedonisht dhe anglisht. Shqipja e përjashtuar!” – thuhet në reagimin e shkurtër të partisë së Ali Ahmetit.

Ky veprim vjen në një moment të ngarkuar politik, me tensione ndëretnike në rritje dhe në një kontekst kur qeveria e re po kritikohet për përjashtim të shqiptarëve nga institucionet publike.

Vëzhguesit politikë paralajmërojnë se me afrimin e zgjedhjeve lokale, rastet e tilla diskriminuese mund të shtohen, duke u përdorur për të mbuluar ngecjet në procesin euro-integrues dhe dështimet e brendshme të pushtetit aktual. /Flaka/

Exit mobile version