“Përshëndetje, unë jam Ada…” – kështu e nisi prezantimin e saj asistentja e parë digjitale e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, në një projekt që u promovua si shembull i inovacionit dhe teknologjisë në administratën shtetërore. Por një vit më vonë, Ada është zhdukur pa lënë gjurmë – dhe me vete ka marrë edhe 150 mijë euro nga buxheti i shtetit.
Ajo që duhej të ishte ndihmë për qytetarët, administratën dhe investitorët, rezultoi të ishte vetëm një zë i regjistruar për marketing. Në rrjetet sociale, qytetarët tashmë e komentojnë me ironi: “Ada e kuptoi që vetëm ajo punon, prandaj u shpërngul nga Maqedonia.”
I vetmi “komunikim” i Adës mbeti prezantimi i saj i parë. Pas një viti, platforma nuk funksionon dhe qytetarët nuk mund të marrin më asnjë informacion nga “asistentja digjitale”.
Drejtori i Zyrës për Zhvillim të Shoqërisë Informatike dhe Transparencë, Goce Dimovski, pranon dështimin e platformës. “Të jem i sinqertë… do të isha befasuar nëse funksiononte. Duke e ditur çfarë trashëguam nga Qeveria paraprake, nuk më habit aspak që nuk punon,” tha ai, duke u përpjekur të shmangë përgjegjësinë me një koment sarkastik.
Por as nga kompania “CodeWell”, e cila përpunoi dhe mirëmbajti Adën, nuk ka asnjë përgjigje. Marrëveshja me këtë kompani, sipas të dhënave publike, ka skaduar në shkurt të vitit të kaluar – dhe me të duket se ka skaduar edhe vetë ideja e “inovacionit digjital” të promovuar nga Qeveria.
Ada – projekti 150 mijë eurosh që nuk dha asnjë përgjigje – është sot simboli më ironik i një administrate që premton shumë dhe dorëzohet më shpejt se një chatbot.