Abdixhiku: Na duhet një President unifikues, me Osmanin do të vazhdojmë bisedimet

79 0

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur se që të qëndrojë në opozitë, duke bërë të qartë pozicionin e saj kundër votimit të Qeverisë Kurti.

Ndërsa sa i përket qëndrimit për përkrahjen e pretendentes për presidente, do të merret pas takimeve që pritet të zhvillohen ndërmjet Abdixhikut dhe Osmanit.

Këtë qëndrim e ka bërë të ditur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas mbledhjes së Këshillit Drejtues, me ç’rast u zgjodh edhe kryesia e re.

“Në këtë takim është diskutuar edhe situata aktuale politike, rreth procesit të rëndësishëm të formimit të institucioneve të reja. Kryesia e LDK-së e ka mbështetur iniciativën e propozuar në takimin e djeshëm që LDK të vazhdojë diskutimet dhe bisedat vetëm me zonjën Osmani si pretendente për kandidate për presidente të Republikës së Kosovës. Në këtë vijë kryesia i ka dhënë mbështetje pra nismës sime dhe besoj dhe po pres gjatë javës zonja Osmani të caktojë datën e takimit dhe vendin e takimit”, tha ai.

Abdixhiku ka thënë se LDK është e interesuat që të shmang krizat eventuale institucionale, por megjithatë ka bërë të qartë se përkrahin vetëm një kandidat konsensuar dhe unifikues, që përfaqëson të gjitha subjektet politike.

Vendimin për përkrahjen ose jo të Osmanit, Abdixhiku tha se kryesia do ta marrë në koordinim të plotë me grupin parlamentar.

“Ne kemi thënë vazhdimisht se na duhet një president që i përfaqëson të gjitha partitë politike. Na duhet një president unifikues dhe këtë po e kërkojmë. Të gjitha detajet e diskutimeve do t’i shpalosim para zonjës Osmani në takimin e ardhshëm kurdo që ndodh. Jemi të interesuar t’i shmangim krizat institucionale dhe të jemi të përgjegjshëm para votuesve tanë duke e mbrojtur gjithmonë interesin e LDK-së. Unë nuk mund të paragjykoj rezultatin e bisedimeve, e pas bisedimeve do të vendos kryesia e partisë në konsultim të plotë me grupin parlamentar”, tha ai.

Sa i përket qëndrimit të LDK-së për përkrahjen e Qeverisë Kurti, Abdixhiku tha se do të jenë një opozitë e fuqishme, duke lënë të kuptohet se nuk do të mbështesin qeverinë e ardhshme të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ne jemi opozitë dhe roli i opozitës është i qartë që LDK do të jetë opozitë e fuqishme me argumente të drejta të kohës dhe natyrisht pjesë përbërëse e institucioneve aty ku qytetarët e vendit e kanë dërguar”, tha ai.

Këshilli i përgjithshëm i LDK-së ka zgjedhur nënkryetar Lutfi Hazirin, Gazmend Muhaxherin, Anton Qunin dhe Shqipe Mjekiqin. Ndërsa ka lënë jashtë dy ish-nënkryetarë, Agim Veliun dhe Haki Rugovën.

Administrator

Ky lajmë është postuar nga ana e redaksionit SMART NEWS. - Administratori

nga kategoria