Në emisionin debativ në TV24, në pyetjen e gazetares për ta komentuar deklaratën e kryetarit të partisë z. Arben Taravari në lidhje me çështjen e largimit të 20% nga Kushtetuta, si dhe për atë se kujt i pengon gjuha shqipe, deputeti Halil Snopçe deklaroi se vet fakti që partitë kryesore maqedonase, LSDM dhe VMRO nuk ngrejnë iniciativë për zëvendësimin e referencës 20% me fjalën Gjuha shqipe, do të thotë se kjo gjuhë të dyjave u pengon.
Snopçe, mes tjerash, deklaroi se ka pritur prej bashkështetasve të tij dhe kolegët deputetë, edhe nga LSDM edhe nga VMRO, pra, edhe nga shumica edhe nga opozita, që ata vetë të ngrejnë këtë iniciativë me ç’rast, siç ai tha, do të kishin treguar madhështi, do të kishin treguar kosmopolitizëm, do të kishin reflektuar vullnet të mirë dhe do të kishin shtruar dorën, në formë që të tregojnë që ja ne vetë jemi të vetëdijshëm se kjo nuk është në rregull, dhe se asgjëkundi tjetër nuk ekziston definimi i një gjuhe me përqindje.
Ky ka qenë përcaktimi programor i Aleancës për Shqiptarët dhe premtim gjatë fushatave tona zgjedhore, shtoi më tej deputeti Snopçe.
“Kemi pasur amendament edhe në ndryshimet e fundit dhe atëherë na është thënë se në hapjen e radhës, kjo do të rregullohet. Kemi pasur deklaratë nga ish kryeministri Zaev, nga kryeministri i tanishëm Kovaçevski, nga lideri i opozitës Mickovski dhe nga presidenti i shtetit z. Pendarovski se nuk kanë asgjë kundër. Bile asnjë koleg deputet, qoftë nga VMRO qoftë nga LSDM me të cilët kemi biseduar, të gjithë thonë se nuk kanë gjë kundër. Pra, askush nuk ka kundër kësaj, por secili frikësohet të ngrihet kjo iniciativë. Askush nuk ka kundër gjuhës shqipe, por bëjnë gjithëçka që mos të vendoset në rend dite”, deklaroi deputeti i ASH-së.
Snopçe shtoi se deputetët maqedonas për shkak të rejtingun të tyre partiak, nuk kanë guxim të deklarohen publikisht për këtë çështje, gjë që është për të ardhur keq dhe tentojnë me çdo kusht që kjo temë përsëri të mos hapet.